Në kuadër të 27-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 113 të UÇK-së, Mujë Krasniqi – Kapuçit, dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, u mbajt një akademi përkujtimore ku u nderua sakrifica dhe heroizmi i dëshmorëve.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, vuri theksin te rëndësia e luftës çlirimtare dhe kërkoi drejtësi për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Gjeneral Duat Haradinaj theksoi se rënia e Mujës dhe shokëve të tij ishte humbje e madhe, por burim frymëzimi për UÇK-në, ndërsa Ali Ahmeti nënvizoi se sakrifica e tyre shërbeu si mobilizim për fitore dhe kujtoi sfidat për identitetin kombëtar që vazhdojnë.
Komandanti i Brigadës 113, Hysni Shabani, përmendi se 14 Dhjetori mbetet një nga datat më të rëndësishme të kujtesës historike të kombit, duke përçuar mesazhin e heroizmit dhe amanetit të luftëtarëve të rënë për lirinë e Kosovës.




