Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligje që i hapën rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të shtetformimit pas luftës.
Shtatë vjet pas këtij vendimi historik, Ushtria e Kosovës ka shënuar progres të konsiderueshëm në ngritjen e kapaciteteve, profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si ndër më të rëndësishmit e pasluftës, ndërsa ish-gjeneralë të FSK-së dhe njohës të sigurisë theksojnë se zhvillimi i deritanishëm ka tejkaluar parashikimet fillestare.
Ata vlerësojnë përkushtimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe bëjnë thirrje për mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe financiare, me qëllim përmbylljen e suksesshme të procesit dhjetëvjeçar të transformimit dhe forcimin e mëtejshëm të sigurisë së Kosovës.




