Pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres shqiptare Belinda Balluku, ka reaguar kryeministri Edi Rama përmes një postimi në platformën X.
Rama thekson se këtë herë do të japin opinionin e tyre para shqiptarëve, të cilët i kanë dhënë 83 mandate.
Sipas tij, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të mbajë një qëndrim të drejtë dhe të qartë.
Në reagimin e tij, Rama ka bërë edhe një vlerësim të situatës:
Ai përmend se arrestet pa gjyq, qoftë në shtëpi apo me burg, janë bërë një fenomen shqetësues në Shqipëri, duke e kthyer vendin në një nga ato me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur, gjë që shqetëson edhe Këshillin e Europës.
Megjithatë, kryeministri thekson se nuk do të paragjykojnë kërkesën e prokurorit special dhe do të angazhohen për të mbajtur një qëndrim të drejtë dhe të denjë, si forcë udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.




