Artan Behrami dhe Arian Tahiri janë dy nga kandidatët e propozuar nga Dega e PDK-së në Mitrovicë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata kanë zgjedhur vendlindjen e tyre si pikën e nisjes për rrugëtimin drejt Kuvendit të Kosovës.
Behrami, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim në Degën e PDK-së në Mitrovicë, ku është ndjerë një entuziazëm i madh nga strukturat e partisë. Ai tha se nga kjo degë do të shpërndajnë frymëzimin e fitores në të gjithë Kosovën.
“Jam i nderuar që në këtë garë jam pjesë e degës së vendlindjes sime – Mitrovicës. Një superentuziazëm u ndje sot në mbledhjen e shtabit zgjedhor. Nga këtu do ta shpërndajmë frymëzimin e fitores në mbarë Kosovën”, shkroi Behrami.
Kjo nisje e fushatës nga vendlindja e tyre thekson lidhjen e ngushtë të kandidatëve me komunitetin lokal dhe rëndësinë që ata i japin mbështetjes së qytetarëve në garën për deputet.




