Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi të konsiderueshme veshjesh dhe etiketash të markave të ndryshme në Han të Elezit, të cilat u gjetën në bagazhin e një automjeti nën tentim kontrabandimi. Sipas Doganës, mallrat dyshohet se do të përdoreshin për t’u vendosur në produkte jo origjinale dhe për t’u shitur si mallra të markave të njohura.
Dogana theksoi se ky veprim dëmton të drejtat e pronësisë intelektuale, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore, ndërsa ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë kundërvajtëse. Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e mallrave të falsifikuara dhe të paligjshme.




