Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka demantuar lajmet e shpërndara në disa portale që paralajmërojnë temperatura ekstreme deri në –20°C dhe reshje të mëdha bore në fund të vitit.
Në një reagim zyrtar, IHMK ka theksuar se është institucioni i vetëm i autorizuar ligjërisht për të dhënë parashikime zyrtare të motit dhe paralajmërime të hershme për dukuri hidrometeorologjike.
Instituti ka sqaruar se çdo parashikim apo paralajmërim nga subjekte apo individë të tjerë është i jashtëligjshëm, jo profesional dhe shkencërisht i pasaktë.
Po ashtu, IHMK ka bërë të ditur se parashikimet afatmesme japin vetëm tendenca të përgjithshme, ndërsa ato afatgjata bazohen në probabilitete klimatike dhe nuk mund të paraqesin kushte të sakta të motit.




