Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhjen e rëndë të njësorëve të ujit në Vushtrri. Hetuesit policorë kanë identifikuar edhe lokacionin e sendeve të vjedhura, të cilat janë sekuestruar.
Njëri prej të dyshuarve është i moshës madhore dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, ndërsa me udhëzim të prokurorit ai është liruar në procedurë të rregullt.
Personi tjetër, i mitur, dyshohet për kryerjen e vjedhjes së rëndë dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Vjedhja kishte ndodhur një javë më parë, ku cak i sulmit ishin 45 njësorë uji në një objekt ndërtimi, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë.




