Gjykata Supreme e Kosovës pritet të mbajë më 22 dhjetor 2025 seancën për shqyrtimin e ankesës kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit.
Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes. Apeli kishte konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt të 29 korrikut 2024, ndërsa më vonë kishte përmirësuar vendimin duke njohur të drejtën e ankesës në Supreme, siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Rasti lidhet me vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, e cila u vra më 22 gusht 2021 në Ferizaj, pas një serie dhunimesh dhe keqtrajtimi. Vendimi i Supremes pritet të jetë faza përfundimtare e këtij procesi gjyqësor.




