Në prag të zgjedhjeve të parakohshme për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, misioni i OSBE-së në Kosovë, me mbështetje financiare nga Ambasada e Francës, ka nisur një seri punëtorish në pesë rajonet e vendit me synim rritjen e pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor.
OSBE vlerëson se, pavarësisht legjislacionit dhe kuotave gjinore, gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në vendimmarrjen politike.
Punëtoritë do të adresojnë shkaqet e këtij hendeku, efektshmërinë e mekanizmave ekzistues dhe rolin e institucioneve, partive politike, mediave dhe shoqërisë civile.
Punëtoria e radhës do të mbahet në Prishtinë më 22 dhjetor dhe do të hapet nga kryesuesit e KQZ-së dhe PZAP-it, me panele diskutimi ku do të marrin pjesë ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.




