Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që Valton Hasani ka bërë kundër televizionit Klan Kosova, duke mirëpritur reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe duke shprehur besimin se rasti do të trajtohet me prioritet.
“AGK-ja dënon çdo formë kërcënimi dhe intimidimi ndaj gazetarëve, pasi kjo është një goditje për lirinë e medias në vend”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës ka arrestuar Hasanin dhe e ka dërguar në mbajtje, pasi ai dyshohet për veprën penale “Kanosje” sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Arrestimi u krye me urdhër të Prokurorit të Shtetit për një periudhë 48-orëshe, ndërsa hetimet e mëtejshme po zhvillohen në koordinim me institucionet relevante.




