Eksperti amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat në Uashington dhe Evropë: anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO, si pjesë e një strategjie për të dobësuar ndikimin rus në Ballkan dhe më gjerë.
Joseph, ligjërues në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani është një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit, duke e cilësuar Serbinë si platformë kryesore të ndikimit rus në rajon. Sipas tij, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të ishte goditje strategjike për Rusinë.
Ai theksoi se Kosovës duhet t’i ofrohet rruga drejt NATO-s pavarësisht qëndrimit të Serbisë, duke shtuar se kjo do ta rrëzonte strategjinë e bllokimit diplomatik ndaj Prishtinës. Joseph argumentoi se anëtarësimi në NATO është më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB.
Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozoi aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës dhe Rezolutës 1244 për Donbasin, përmes administrimit ndërkombëtar dhe negociatave afatgjata, si mënyrë për të kufizuar ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Ai paralajmëroi se pa stabilizimin e Ballkanit, Evropa do të mbetet e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve autoritare dhe bëri thirrje për masa të menjëhershme kundër ndikimit rus në rajon.




