Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative – ka shpallur të paligjshëm vendimin e 17 janarit 2025 për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Vendimi u bë i ditur nga avokati Ardian Bajraktari, pas aprovimit të padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila konfirmoi shkelje ligjore në procesin vendimmarrës.
Sipas gjykatës, janë shkelur parimet e ligjshmërisë gjatë ndryshimit të Rregullores së Punës dhe zgjedhjes së kryetarit. KPM-ja është obliguar t’i paguajë IKD-së shpenzimet procedurale në vlerë prej 239 eurosh.
Vendimi lidhet me zgjedhjen e Besnik Berishës si kryetar, e cila kishte nxitur reagime për shkarkimin e parakohshëm të kryetarit të mëparshëm, Jeton Mehmeti.





