Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore, e cila ka miratuar kërkesë-paditë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Gjykata ka shpallur të paligjshëm vendimin e Bordit të KPM-së për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e kryetarit, të marrë në mbledhjen e 17 janarit 2025.
AGK ka vlerësuar se kjo zgjedhje është bërë në kundërshtim me ligjin dhe ka shprehur shqetësim për, siç thuhet, përpjekjet për kontroll politik mbi këtë institucion të pavarur.
Sipas AGK-së, vendimi i Gjykatës rikthen ligjshmërinë dhe është një mesazh i qartë për respektimin e ligjeve në proceset vendimmarrëse.
Asociacioni ritheksoi angazhimin e tij që KPM-ja të mbetet e pavarur politikisht dhe të përmbushë rolin e saj kushtetues në rregullimin dhe monitorimin e mediave në Kosovë.




