Lahi Brahimaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do ta mbështesë Fatmir Limajn në rast se ai kandidohet për postin e kryetarit të Kuvendit.
“E kemi thënë disa herë më pare, në asnjë situatë nuk do ta përkrahim Fatmir Limajn për pozitën e kryeparlamentarit”, u shpreh Brahimaj.
Ai shtoi se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka një marrëveshje me Listën Serbe dhe Nismën, por problemi kryesor qëndron te votimi i fshehtë.
“Duket se VV tashmë i ka siguruar votat nga Lista Serbe. Ata po pretendojnë se opozita po e pengon procesin, por në çdo seancë kur ajo dështon, janë pikërisht Lista Serbe dhe Nisma që e braktisin sallën. Çka po ju duhet tani është vetëm një votim i fshehtë, marrëveshja veçse ekziston”, deklaroi ai për Front Online.




