Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, deklaroi se Kosova ka besim të plotë në administratën e presidentit Donald Trump. Ajo theksoi se SHBA-ja mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dialogun me Serbinë të bazuar në njohje reciproke, si dhe anëtarësimin e vendit në NATO.
Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në si aleati kryesor strategjik i Kosovës dhe përmendi edhe njohjen e Kosovës nga Bahamas, si dhe marrëveshjen për heqjen e vizave mes dy vendeve.




