Shoqata e Naftëtarëve ka shprehur shqetësim se vendimi i Qeverisë për marzha të ulëta të fitimit po dëmton seriozisht bizneset e sektorit të naftës, pavarësisht se disa kërkesa të tyre janë përmbushur nga Ministria e Tregtisë.
Kryetari Fadil Berjani tha se marzha prej 2 cent me shumicë dhe 12 cent me pakicë e bën pothuajse të pamundur mbijetesën e kompanive, duke theksuar se Kosova tashmë ka çmimet më të lira në rajon.
Naftëtarët kritikuan gjithashtu mungesën e transparencës për rezervat shtetërore të naftës dhe faktin se Kosova nuk ka ende deponi shtetërore, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Përfaqësuesit e Shoqatës kërkuan legalizimin e objekteve, licenca pa afat kohor dhe ndalimin e ndërhyrjeve shtetërore në çmime, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe në kundërshtim me parimet e tregut të lirë.




