Në fund të vitit 2025, qytete si Gjilani, Rahoveci, Vitia, pjesë e Gjakovës, Prizreni, Malisheva, disa fshatra rreth Suharekës dhe Mitrovicës janë përballur me mungesa të energjisë elektrike. KEDS ka paralajmëruar se konsumi i energjisë gjatë dhjetorit është rritur ndjeshëm, duke arritur një pik konsum prej 1358 MW nga 1 deri më 18 dhjetor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Si pasojë e rritjes së konsumit, po vërehen ndikime në asetet e sistemit të shpërndarjes, dhe nëse ky trend vazhdon, mund të ketë shqetësime në furnizimin e rregullt dhe të qëndrueshëm, sidomos në rajonet me kapacitete të kufizuara.
KEDS ka angazhuar të gjitha ekipet operative për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe po vazhdon investimet në modernizimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve të shpërndarjes, përfshirë konvertimin e linjave të tensionit të mesëm nga 10 kV në 20 kV në disa qytete si Ferizaj, Malisheva dhe Prishtina. Korporata falenderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim.




