Ipeshkvi i Kosovës,Dodë Gjergji, në mesazhin e tij për Krishtlindje, ka bërë thirrje për paqe, reflektim shpirtëror dhe përgjegjësi personale e shoqërore, duke iu drejtuar besimtarëve katolikë dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. Ai theksoi se Krishtlindja nuk është vetëm festë fetare, por një mesazh shprese për mbarë njerëzimin, në një kohë sfidash globale dhe lokale.
Ipeshkvi Gjergji shprehu shqetësim për mungesën e dashurisë dhe përdorimin e dhunës në botë, si dhe për polarizimet dhe turbullirat politike në Kosovë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që pas Krishtlindjes të veprojnë me përgjegjësi në zgjedhje, duke ndjekur ndërgjegjen dhe duke kontribuar për stabilitet, integrim evropian dhe bashkëjetesë ndërfetare.
Në përmbyllje, ai rikujtoi mesazhin ungjillor “Mos kini frikë”, duke theksuar rëndësinë e guximit dhe qëndresës përballë së keqes, dhe uroi Krishtlindje të bekuara dhe një Vit të Ri 2026 plot paqe, drejtësi dhe shpresë.




