Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar aktivitetet e tij elektorale në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke vizituar Malishevën, nga ku ka përcjellë mesazhe optimizmi për rritjen e mbështetjes ndaj platformës së tij qeverisëse.
Hamza tha se fryma e ndryshimit po ndihet gjithnjë e më shumë në çdo qytet që po viziton, duke theksuar se qytetarët janë të vendosur për një të ardhme më të mirë.
“Në rrugëtimin për ta çuar Kosovën përpara, sot në Malishevë pashë vendosmërinë, energjinë dhe gatishmërinë për ndryshim që po rritet çdo ditë,” u shpreh Hamza.
Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët do të jetë kyç në qeverisjen e tij të ardhshme, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Bashkë me Malishevën, përpara për Kosovën!”.




