Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar vdekjen e një këmbësori, i cili ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një aksidenti trafiku të ndodhur më 22 dhjetor.
Sipas konfirmimit zyrtar, aksidenti ka ndodhur në rrugën “Shefki Kuleta” në Fushë Kosovë, ku janë përfshirë një automjet dhe një këmbësor. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kishte pësuar këmbësori, një mashkull, i cili ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Policia ka njoftuar se sot është informuar nga QKUK se i lënduari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Rasti është duke u hetuar nga njësiti rajonal i trafikut në Prishtinë, i cili po ndërmerr veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.




