Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas padisë që i është dorëzuar nga Aziz Kryeziu, babai i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Mehmetaj ka bërë të ditur se padia lidhet me një deklaratë ku ai përmendte se babai i Kryeziut kishte shërbyer si polic gjatë kohës së Serbisë.
Ai ka sqaruar se, sipas dokumenteve të dorëzuara për padinë, Azizi Kryeziu ka qenë pjesë e Njësisë së Veçantë, dhe ka pranuar se gabimi i tij ishte përdorimi i termit “polic” në vend të “milic”.
Në një postim në Facebook, Mehmetaj shkroi: “Më fal milic që të kam thënë polic”.
Gazetari ka theksuar se Përparimi Kryeziu nuk ka përgjegjësi për veprimtarinë e babait të tij, por ka kritikuar mungesën e reagimit publik për aktivitetin e babait kundër kombit të vet.
Ai ka shtuar se, në një situatë të kundërt, nëse djali i një milici serb do të ishte gazetar që e kritikonte Kurtin, reagimi do të ishte ndryshe, duke e cilësuar këtë si një problem të mungesës së lidhjes me patriotizmin.




