Revista amerikane “Politico” shkruan se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pas gati një viti bllokade politike, në një moment vendimtar për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Sipas revistës, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti fitoi zgjedhjet e shkurtit me 42 për qind të votave, por dështoi të formojë qeveri për shkak të mungesës së një koalicioni.
“Politico” e cilëson Kurtin si populist dhe vlerëson se qasja e tij ka tensionuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, duke çuar në izolim politik dhe masa ndëshkuese nga Perëndimi. Partitë opozitare LDK, PDK dhe AAK shprehen se nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen, duke e konsideruar Kurtin figurë përçarëse.
Artikulli thekson se ekziston mundësia e një koalicioni opozitar për të shmangur një tjetër bllokadë institucionale, ndërsa paralajmëron se dështimi për të formuar qeveri mund ta rrezikojë përfitimin e Kosovës nga fondet e Planit të Rritjes së BE-së. Ndërkohë, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mbetet i bllokuar, ndërsa zgjedhjet e reja shihen si kyçe për stabilitetin politik dhe integrimin evropian të vendit.




