Mijëra fluturime janë anuluar ose kanë pësuar vonesa në Shtetet e Bashkuara, ndërsa rajoni verilindor përballet me një stuhi të fortë dimërore gjatë kulmit të sezonit të udhëtimeve për festat.
Sipas FlightAware, deri të premten në mbrëmje janë anuluar rreth 1.600 fluturime dhe 7.400 të tjera kanë pësuar vonesa. Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy, Newark Liberty dhe LaGuardia në zonën e New Yorkut. Probleme me fluturimet janë raportuar gjithashtu në Boston, Chicago dhe Toronto.
Kompanitë ajrore më të prekurat përfshijnë JetBlue (229 fluturime të anuluara), Delta Air Lines (241), Republic Airways (180), Southwest Airlines (151), dhe American Airlines dhe United Airlines rreth 100 secila.
Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, këshilloi qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të planifikojnë me kujdes, duke lënë më shumë kohë për të mbërritur në destinacion në mënyrë të sigurt. Paralajmërime të ngjashme dhanë edhe guvernatorët e New Jersey dhe Connecticut.




