Më pak se 24 orë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se procesi i votimit për shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara është përmbyllur gjatë kësaj jave. Sipas tij, ata kanë realizuar të drejtën kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ndërkohë, sot ka përfunduar votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, ndërsa nesër qytetarët brenda vendit do t’i drejtohen kutive të votimit.




