Zëvendësavokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka raportuar se gjatë ditës janë evidentuar ankesa për vështirësi në ushtrimin e votës me asistencë. Sipas informatave nga terreni, asistenca u është lejuar vetëm personave me aftësi të kufizuara që posedojnë dëshmi zyrtare, ndërsa personave që nuk dinë shkrim e lexim nuk u është mundësuar votimi me asistencë.
Sinani-Lulaj tha se kjo ka shkaktuar konfuzion tek votuesit, veçanërisht tek personat e moshuar, të cilët kanë hasur vështirësi në proces. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sqaroi se sipas ligjit të vitit 2023, asistenca lejohet vetëm për personat me aftësi të kufizuara dhe jo për ata që nuk dinë të lexojnë ose shkruajnë. Ai theksoi se e drejta e votës nuk u mohohet, por votuesit duhet të hedhin vetë fletëvotimin në kuti.




