Rreth orës 05:50, patrullat e Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Gjilan kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë në fshatin Doberqan, i cili kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale.
Gjatë kontrollit të automjetit janë identifikuar pesë persona, të cilët janë shoqëruar nga policia për procedura të mëtejme ligjore. Pas paraqitjes para gjykatës kompetente dhe shqiptimit të gjobave përkatëse, të ndaluarit janë dërguar në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Sipas raportimeve, të pesë personat janë të nacionalitetit serb dhe dyshohet se kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Burime të informuara bëjnë të ditur se së paku njëri nga të ndaluarit është ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura të Serbisë.
Po ashtu, sipas këtyre burimeve, i njëjti dyshohet se posedon informacione që lidhen me plane të mundshme të Serbisë për të cenuar procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës. Megjithatë, institucionet kompetente nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare lidhur me këto pretendime.
Policia dhe organet e tjera përgjegjëse kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë informacione shtesë për këtë rast.




