Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk ka qenë ai që pritej, por ka theksuar se do të veprojë me përgjegjësi dhe do të marrë vendime të analizuar dhe të peshuara mirë.
Gjatë një konference për media, Hamza tha se PDK-ja kishte pritshmëri më të larta për këtë garë, por theksoi se partia ka arritur të ruajë votën dhe elektoratin e saj. “Pozita ka edhe përgjegjësi, kur je në pozitë duhet të veprosh dhe unë nuk jam person që shmang përgjegjësitë. Vendimet do të merren në kohë, të analizuar mirë dhe pa vonesë”, tha ai.
Hamza u ndal edhe te bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çështja e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se PDK-ja do të kontribuojë në interes të vendit. Ai sqaroi se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, pastaj do të kërkohet një formulë për zgjedhjen e presidentit që të mos bllokojë vendin.
“Çdo vendim që marrim do të jetë i lidhur me përgjegjësitë tona institucionale dhe interesin publik. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, PDK-ja ka dhënë gjithmonë kontributin e saj, madje edhe në të kaluarën kemi votuar për to,” shtoi Hamza.
Ai theksoi gjithashtu se, pavarësisht rezultatit, nuk ka arsye të ulë kokën. Rezultatet e zgjedhjeve do të shërbejnë si bazë për analizë dhe për vendimmarrje strategjike që do ta bëjë partinë më të fortë për të ardhmen.
Në përfundim, Hamza u shpreh i përkushtuar ndaj përgjegjësive të PDK-së dhe qytetarëve, duke theksuar se vendimet do të merren me kujdes dhe në mënyrë transparente, pa vonesa.




