Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur numërimin e votave për subjektet politike në 2,557 vendvotime në 38 komuna të Kosovës. Tani ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, i cili po zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit me transparencë dhe nën monitorimin e vëzhguesve. Sipas të dhënave preliminare, janë evidentuar mbi 9,900 votues me kusht, ndërsa nga votimi jashtë vendit kanë marrë pjesë 16,165 nga 19,187 të regjistruar. Procesi i votimit me postë, me rreth 58 mijë votues të regjistruar, është ende duke u përfunduar, ndërsa dy kutitë postare nga Berlini dhe Berni kanë nxjerrë rreth 18,000 pako me fletëvotime.




