Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e shtetasit A.S., 34 vjeç, banues në Cërrik, i cili kërkohej nga autoritetet e Kosovës për veprimtari kriminale.
Sipas policisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan lokalizoi dhe arrestoi A.S. me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”. Procedurat e ekstradimit u kryen nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet kosovare.




