Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot u mbajt një mbledhje komemorative për të përkujtuar jetën dhe veprën e akademik Nexhat Dacit, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 81-vjeçare.
Në ceremoni morën pjesë personalitete nga jeta akademike, shoqërore e politike, si dhe familjarë dhe miq të familjes Daci. Kryetarja e ASHAK, Justina Shiroka-Pula, foli për kontributin e akademikut në ndërtimin e institucioneve akademike dhe zhvillimin e dijes në Kosovë, ndërsa nënkryetari Fejzullah Krasniqi dhe sekretari Enver Hamiti theksuan rolin e tij të rëndësishëm në shkencë dhe zhvillimin e akademisë.
Përmes një telegrami, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përkujtoi kontributin e tij në zhvillimin e shkencës dhe kimisë. Në emër të familjes, e bija Majlinda Daci falënderoi të pranishmit për nderimin dhe respektin e treguar.
Të premten, akademikut Daci iu dha lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore në Prishtinë, dhe u varros në varrezat e lagjes Arbëri, në praninë e krerëve të shtetit, akademikëve, familjarëve dhe miqve. Gjatë ditëve të fundit janë mbajtur gjithashtu homazhe në ambientet e Kuvendit dhe një Akademi Përkujtimore në nder të tij.




