Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë, duke mbyllur këtë fazë në të gjitha komunat e vendit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, tani aktivitetet janë përqendruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku po numërohen fletëvotimet nga diaspora, përfshirë ato nga përfaqësitë diplomatike dhe votimi përmes postës, me qëllim shpalljen e rezultateve përfundimtare sa më shpejt.
Nga kutitë postare jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë, janë përpunuar mbi 28,500 fletëvotime, prej të cilave 27,600 janë aprovuar për numërim, ndërsa mbi 950 janë refuzuar kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Procesi i numërimit përfshin gjithashtu fletëvotimet me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, duke përfshirë mbi 9,900 votues me kusht dhe 2,860 me nevoja të veçanta në 38 komuna. KQZ synon që, pas numërimit të votave të diasporës dhe postës, të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.




