Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar se situata e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut vazhdon të jetë e ndjeshme edhe në ditën e tretë. Pas reshjeve intensive gjatë natës dhe qetësimit të përkohshëm gjatë ditës, gjendja u përkeqësua sërish në orët e mbrëmjes.
Sipas Elezajt, familjet që jetojnë pranë lumenjve janë evakuuar kryesisht me vetorganizim, pa kërkuar ndihmë nga Komuna. Autoritetet lokale vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të qëndrojnë në gatishmëri për çdo emergjencë të mundshme.
Gjithashtu, Elezaj ka theksuar se Komuna po qëndron e angazhuar për të mbështetur banorët dhe për të parandaluar pasoja më të mëdha nga përmbytjet.




