Në Klinë, në fshatin Deiq, autoritetet komunale po intervenojnë për heqjen e pengesave në zonën e njohur si “Te ura e Haxhisë”, për të liruar kanalet dhe për të lehtësuar qarkullimin e ujit. Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ka thënë për RTK-në se gjendja vazhdon të jetë e brishtë, por aktualisht nuk ka pasur kërkesa për evakuim nga banorët.
Policia ka bllokuar rrugën përkohësisht për të lehtësuar punimet e ekipeve në terren. Elezaj theksoi se qytetarët kanë treguar vetëdijesim të duhur, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm në komunë është stabil.
Ai njoftoi gjithashtu se nga sot banorët mund të raportojnë dëmet e shkaktuara, të cilat janë kryesisht në biznese, toka bujqësore dhe disa shtëpi banimi. Pas stabilizimit të situatës, komuna do të kryejë verifikimin e plotë të dëmeve.




