Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se, sipas raportit për periudhën 9–10 janar 2026, situata me vërshimet në Kosovë paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme. Pas rënies së intensitetit të reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, është vërejtur përmirësim i dukshëm në shumicën e rajoneve, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj, pa raportime për humbje jete.
AME bën të ditur se vërshime të izoluara janë regjistruar në disa komuna, përfshirë Prishtinën, Lipjanin, Shtimen, Graçanicën dhe Gjilanin, ndërsa në rajone të tjera situata ka qenë e qetë dhe pa nevojë për ndërhyrje të mëdha. Në Mitrovicë është evakuuar një familje si masë parandaluese, ndërsa intervenime teknike janë kryer edhe në Malishevë, Dragash dhe në Termocentralin Kosova A.
Sipas AME-së, rreziku për përshkallëzim është i ulët, por vëmendja mbetet e fokusuar te reshjet e borës, ngricat dhe vështirësitë në qarkullim. Strukturat emergjente mbeten në gatishmëri të plotë për reagim të shpejtë në çdo rast.




