Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka raportuar se pas reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, situata në të gjithë vendin paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme. Nuk ka humbje jete, ndërsa niveli i ujit në lumenj dhe përrenj ka rënë gradualisht.
Në disa zona, si rruga “Rifat Berisha” në Prishtinë, Hajvali, Smallush i Lipjanit dhe rrugët pranë Prishtina Mall dhe Motel “Villa Hilton”, janë regjistruar vërshime, ndërsa disa ndërhyrje teknike janë kryer në Malishevë, Dragash dhe Mitrovicë.
Në rajonet e tjera, përfshirë Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Gjilan, situata mbetet e qetë dhe rrugët kryesore janë të kalueshme, me disa bllokime të izoluara për shkak të ujit ose dheut.
AME paralajmëron qytetarët për kujdes nga borë dhe ngricat që mund të krijojnë vështirësi në qarkullim rrugor dhe bën thirrje për respektimin e masave të sigurisë. Strukturat për Mbrojtje, Shpëtim dhe Ndihmë mbeten në gatishmëri 24 orë në ditë.




