Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e rigjykimit ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës në lidhje me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Shkak për anulimin është mospërfundimi i ekspertizës financiare, ndërsa data e radhës do të caktohet pas pranimit të saj.
Në rastin fillestar, gjykata i kishte dënuar të akuzuarit me burgim efektiv dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, por Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ata akuzohen se, në bashkëpunim, keqpërdorën detyrën zyrtare në ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.




