Gjatë dhjetorit 2025, energjia elektrike është shtrenjtuar për 18.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, njofton Agjencia e Statistikave. Ushqimet u shtrenjtuan për 4.9%, pemët për 19%, mishi për 14.4%, ndërsa produktet e qumështit dhe vezët për 9.8%.
Norma mesatare e inflacionit vjetor në Kosovë ka arritur në 3.9%, ndërsa për muajin dhjetor inflacioni shënoi 5.3%, më i larti në Ballkan dhe Evropë. Ekspertët e lidhin këtë rritje kryesisht me shtrenjtimin e energjisë elektrike, mungesën e investimeve kapitale dhe përkrahjes për bizneset vendore.




