Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kujtuar masakrën e Reçakut më 15 janar 1999, duke e cilësuar si një nga faqet më të errëta të historisë së njerëzimit.
Ajo theksoi se forcat serbe ekzekutuan barbarisht 45 civilë shqiptarë, të paarmatosur, duke e bërë të qartë natyrën shtetërore dhe të qëllimshme të këtij krimi.
Gërvalla shtoi se Reçaku shërbeu si pikë kthese historike, duke mobilizuar komunitetin ndërkombëtar për të ndalur barbarinë serbe dhe për të hapur rrugë lirisë së Kosovës. Ajo kritkoi përpjekjet e Serbisë për mohimin e krimeve dhe glorifikimin e autorëve, duke theksuar se asnjë propagandë nuk mund të fshijë gjakun e pafajshëm.
Ministrja nënvizoi se për Kosovën, Reçaku mbetet një kujtim i gjallë dhe një zotim për drejtësi, duke e konsideruar drejtësinë busull morale që nuk mund të negociohet në asnjë forum ndërkombëtar.




