Një incident i dhunshëm ka ndodhur sot në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik u sulmuan, njofton Policia dhe Prokuroria që po hetojnë rastin.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal mbi respektimin e rregullave të hyrjes në repart. Sipas informacionit të paraqitur nga burimet jozyrtare, sulmi ka përfshirë përdorimin e karrigeve: një punëtor i sigurimit u godit në kokë, tjetrit i janë thyer syzet, ndërsa infermierja është sulmuar në shpinë.
Ngjarja lidhet me prezencën e tepruar të familjarëve të një pacienti në dhomë – gjithsej 6 persona – të cilëve u kërkua largimi i disa prej tyre, por kjo kërkesë është kundërshtuar, duke çuar në eskalim të situatës.
Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.




