Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar figurën e Smajl Hajdarajt në 24-vjetorin e vrasjes së tij, duke theksuar se ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Abdixhiku ka deklaruar se moszbardhja e rastit edhe pas më shumë se dy dekadash e bën dhimbjen më të madhe për familjen, bashkëveprimtarët dhe gjithë shoqërinë. Ai ka vlerësuar kontributin e Hajdarajt si veprimtar politik, intelektual, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deputet pas çlirimit.
Sipas kreut të LDK-së, Smajl Hajdaraj përfaqëson simbolin e sakrificës dhe përkushtimit për atdheun, veçanërisht në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, duke nënvizuar se kujtimi i tij mbetet i lidhur ngushtë me kërkesën për drejtësi.




