Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, që do të formohet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, do të nisë punën me shqyrtimin e buxhetit për vitin 2026 dhe pesë marrëveshjeve ndërkombëtare financiare.
Mes ligjeve të para që do të trajtohen do të jenë edhe 13 projektligje që më parë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe dy ligje të reja të Qeverisë që do të procedohen me urgjencë – ai për çmimet tavan dhe ndryshimi i ligjit për të hequr kufizimin e punësimit për veteranët e UÇK-së.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se ligjet e rrëzuara nuk kanë pasur probleme në përmbajtje, por kanë hasur pengesa në procedurë, ndaj do të procedohen sipas afateve të përcaktuara me rregullore. Ai ka shtuar se prioritet do të jenë edhe projektligjet për reformën në drejtësi, të cilat kanë kaluar shqyrtimet e Komisionit të Venecias dhe presin vetëm formimin e Qeverisë së re.
Përveç Kuvendit, Qeveria e ardhshme pritet të procedojë edhe ligjet për pagën e 13-të dhe pakon e masave për përballje me inflacionin, me vlerë 200 milionë euro. Ekspertët shprehin se të gjitha ligjet duhet të miratohen në përputhje me procedurat ligjore dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, për të shmangur vonesa apo kontestime.
Legjislatura e tetë e Kuvendit kishte miratuar gjithsej 282 ligje, më shumë se çdo legjislaturë tjetër në historinë e Kosovës.




