Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj procesit të rinumërimit të pjesshëm të votave të kandidatëve, duke shprehur shqetësim për atë që e ka cilësuar si manipulim serioz të votës së qytetarëve.
Në një reagim publik, Haradinaj ka deklaruar se procesi zgjedhor është dëmtuar dhe se, sipas tij, vetëm një rinumërim i plotë i të gjitha votave mund të garantojë integritetin e zgjedhjeve. Ai ka theksuar se pa një proces të tillë, besimi në rezultatet zgjedhore mbetet i cenuar.
Haradinaj ka shprehur habi për mungesën e reagimit nga ana e Prokurorisë dhe ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të veprojnë për mbrojtjen e votës së qytetarëve. Sipas tij, çdo zgjidhje tjetër do të rrezikonte seriozisht procesin demokratik dhe stabilitetin institucional.




