Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve, duke deklaruar se kjo praktikë ka qenë e pranishme brenda LDK-së prej vitesh dhe tashmë është shtrirë edhe në partitë e tjera politike.
Në një reagim publik, Tërmkolli ka theksuar se shumë deputetë nuk janë zgjedhur përmes vullnetit të lirë të qytetarëve, por përmes ndikimit të strukturave partiake dhe blerjes së votave. Ajo ka pohuar se raste të tilla i ka evidentuar edhe personalisht gjatë zgjedhjeve të vitit 2019 në disa komuna, ku, sipas saj, votat i janë zhvendosur nga kandidatë të tjerë brenda partisë.
Tërmkolli ka deklaruar se edhe në rastet kur janë paraqitur ankesa, procesi nuk ka dhënë rezultat për shkak të ndikimit politik, ndërsa institucionet e drejtësisë dhe mediat, sipas saj, kanë heshtur.
Sipas ish-deputetes, manipulimi i votës së kandidatëve brenda partive është kthyer në fenomen të përhapur dhe vetëm drejtësia mund ta ndalë këtë dukuri, përmes hetimeve dhe ndëshkimeve ndaj komisionerëve, organizatorëve dhe kandidatëve të përfshirë në blerje apo vjedhje votash.





