Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër një grupi kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarë italianë dhe europianë, duke u paraqitur si kompani për investime në kriptomonedha.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 6 persona, ndërsa janë lëshuar urdhra ndalimi për 6 të tjerë. Hetimet zbuluan dy Qendra Thirrjesh (Call Center) në Tiranë, ku personeli punonte në gjuhë të ndryshme dhe kryente mashtrime të sofistikuara, duke përdorur pajisje kompjuterike, sisteme monitorimi dhe serverë. Një pjesë e pajisjeve u transportua në një ambient tjetër pas sinjalizimit për një ndërhyrje të mundshme nga autoritetet.
SPAK njofton se gjatë kontrolleve në 28 ambiente u sekuestruan pajisje kompjuterike, dokumente, automjete, motomjete dhe një automjet luksoz i markës Ferrari. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, ndërsa hetuesit vazhdojnë identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.




