Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite është procesi i rinumërimit të votave. Gjatë mbledhjes do të prezantohet raporti mbi gjetjet e deritanishme nga rinumërimi i vendvotimeve.
Lajmin e ka bërë të ditur sot zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili njoftoi se raporti përfshin të dhënat nga rinumërimi i zhvilluar deri më tani.
Më 13 janar, KQZ kishte marrë vendim për rinumërimin e gjithsej 914 vendvotimeve në të gjitha komunat e Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve, ndërsa në 28 komuna të tjera rinumërimi do të përfshijë nga 10 për qind të vendvotimeve.
KQZ ka lënë të hapur mundësinë që rinumërimi të zgjerohet edhe në vendvotime të tjera, varësisht nga gjetjet dhe nevoja gjatë procesit.




