Zvarritja e procesit zgjedhor si pasojë e rinumërimit të votave po rrit shqetësimet për vonesa në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Kjo situatë po krijon pasiguri për punëtorët e sektorit publik, veçanërisht për pagesën e pagave dhe funksionimin normal të shërbimeve.
Përfaqësues të sindikatave kanë paralajmëruar se mungesa e institucioneve funksionale mund të ndikojë negativisht në sektorë kyç, si shëndetësia dhe arsimi. Ata theksojnë se pagat nuk duhet të jenë peng i zhvillimeve politike dhe se shteti duhet të sigurojë vazhdimësi në përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve.
Sipas sindikatave, çdo vonesë e mëtejme në formimin e institucioneve mund të sjellë pasoja sociale dhe ekonomike, ndërsa kërkohet përgjegjësi dhe vendime të shpejta në interes të qytetarëve dhe stabilitetit institucional.




