Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se KOSTT ka marrë pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateri me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike.
Marrëveshja është nënshkruar mes Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke hapur rrugën për nisjen e punimeve në kuadër të programit kompakt me MCC-në.
Bateritë do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë gjatë tepricave dhe rikthimin e saj në rrjet në periudhat e rritjes së kërkesës, duke kontribuar në furnizim më të qëndrueshëm dhe kosto më të përballueshme. Ky projekt përfaqëson një tjetër rezultat konkret të partneritetit Kosovë–SHBA në sektorin energjetik.





