Udhëheqësit evropianë po përpiqen të ulin tensionet me Shtetet e Bashkuara lidhur me deklaratat dhe paralajmërimet për Groenlandën, si dhe me kërcënimet për vendosjen e tarifave shtesë ndaj disa vendeve evropiane.
Kancelari gjerman Friedrich Merz nga Berlini ka bërë thirrje për dialog dhe zgjidhje të përbashkët, duke theksuar se Evropa nuk dëshiron përshkallëzim të situatës. Ai paralajmëroi se rritja e papritur e tarifave do të dëmtonte si Evropën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne duam të shmangim çdo përshkallëzim në këtë mosmarrëveshje. Synimi ynë është ta zgjidhim problemin përmes dialogut. Qeveria amerikane e di se edhe ne kemi mundësi të reagojmë, por kjo nuk është dëshira jonë. Nëse është e nevojshme, do t’i mbrojmë interesat evropiane dhe ato kombëtare”, deklaroi Merz.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka cilësuar të gabuar qasjen e përshkallëzimit dhe ka theksuar se një luftë tarifore nuk i shërben askujt. Ai u shpreh se nevojitet një zgjidhje pragmatike dhe e qëndrueshme për të shmangur një krizë më të gjerë.
Ndërkohë, pritet që tema e marrëdhënieve transatlantike të diskutohet në takime të shumta gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku këtë javë janë mbledhur udhëheqës nga e gjithë bota. Po ashtu, liderët e Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel për të koordinuar qëndrimet e tyre.




