Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e saj të përgjithshëm të shtunën, më 31 janar, ku 354 delegatë do të vendosin për të ardhmen e udhëheqjes së partisë. Në këtë kuvend, kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, pritet të kërkojë votëbesimin e delegatëve.
Vendimi për datën e kuvendit u mor pas një mbledhjeje disaorëshe të kryesisë së LDK-së, e cila u zhvillua pasditen e sotme. Sipas zëdhënësit të partisë, Besian Mustafa, takimi u karakterizua nga diskutime të hapura dhe gjithëpërfshirëse.
Mustafa tha se anëtarët e kryesisë kanë analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe kanë shqyrtuar të gjitha çështjet relevante, përfshirë edhe kërkesën e vetë Abdixhikut për t’iu nënshtruar vendimit të kuvendit. Ai bëri të ditur se kryetari do ta ofrojë dorëheqjen e tij para delegatëve, duke ia lënë këtij organi vendimmarrjen përfundimtare si për këtë çështje, ashtu edhe për tema të tjera që mund të hapen në kuvend.
Në konferencën për media, zëdhënësi i LDK-së u ndal edhe te procesi i rinumërimit të votave për kandidatët në mbarë Kosovën, pas dyshimeve për manipulime dhe përfshirjes së organeve të drejtësisë. Ai i cilësoi këto veprime si shkelje serioze dhe theksoi se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Po ashtu, Mustafa nënvizoi se, përveç pasojave ligjore, do të ketë edhe pasoja politike për çdo anëtar të LDK-së që, sipas hetimeve, rezulton i përfshirë në veprime të kundërligjshme.




