Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Camp Film City në Prishtinë.
Gjatë takimit, palët shkëmbyen mendime mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, si dhe mbi nevojën për forcimin e mëtejmë të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Gjeneralmajor Ulutaş ritheksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe në rajon.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të lirisë së lëvizjes në çdo kohë. Në këtë kuadër, KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si mekanizma të sigurisë në vend.




